29. O populli im,
unë për këtë nuk kërkoj prej jush ndonjë pasuri, shpërblimi im është vetëm te All-llahu. Dhe unë kurrsesi nuk i
largoj ata që besuan, ata janë afër Zotit të tyre; por unë ju shoh si popull që
nuk dini e nuk kuptoni.
30. O populli im, a
nuk po mendoni se nëse unë i përze ata , kush do të
mund të më mbrojë mua nga All-llahu (dënimi i Tij)?
31. Unë nuk u them
juve se te unë janë depot e All-llahut, as nuk u them
se unë e di të fshehtën, as nuk u them se unë jam engjëll, as nuk u them atyre
që sytë tuaj i nënçmojnë, se All-llahu nuk u dhuroi atyre të mira. All-llahu e di më së miri se çka në shpirtrat e tyre, pse atëherë
unë konsiderohem zullumqar.
32. Ata thanë: “O
Nuh, ti polemizove me ne dhe e zgjate polemikën tonë. Urdhëro, e nëse flet të
vërtetën, sillnie pra, të na godasë ajo me çka na
kërcënohesh!”
33. Ai tha: “Atë ju
sjell vetëm allahu, po qe se dëshiron, e ju nuk mund ta pengoni!”
34. Nëse përpiqem
t’ju këshilloj, po qe se All-llahu don t’ju humb, këshilla ime nuk bën dobi. Ai
është Zoti juaj dhe vetëm te Ai do të ktheheni.
35. A mos po thonë
se ai e trilloi atë? Thuaj: “Nëse unë kam trilluar, atëherë ai është mëkati im,
e unë jam larg nga krimet tuaja”.
36. E, Nuhut i qe
shpallur: “Nuk do të besojë më askush nga populli yt,
përveç atyre që kanë besuar (deri më tash), pra mos u brengos për ata që
punojnë ata”.
37.
E, mbaroje anijen nën mbikëqyrjen tonë dhe me mësimin tonë, e mos m’u drejto
Mua për ata që bënë zullum, ata gjithqysh janë të përmbytur.