70. E kur i pajisi ata me pajimet e tyre e vuri tasin (gotën) në barrën e vëllait të vet, e pastaj një thirës thirri: “O ju devexhinj, ju jeni vjedhës!” 

71. U kthyen (devexhinjtë) dhe thanë: “çka keni humbur?” 

72. (shërbëtorët e sundimtarit) Thanë: “Kemi humbur tasin e sunduesit, e kush e sjell atë (tasin), ka (shpërblim) një barrë deveje (drith). Unë vetë jam për këtë garantues!” 

73. Ata (vëllezërit e Jusufit) thanë: “Pasha All-llahun, ju e dini se ne nuk kemi ardhur për të bërë shkatërrime në tokë dhe nuk jemi vjedhës!” 

74. (shërbëtorët) Thanë: “Nëse jeni gënjeshtarë, çfarë duhet të jetë ndëshkimi i atij (që ka vjedhur)?” 

75. Vëllezërit thanë: “Dënimi i tij është, vetë ai (të robërohet) në barrën e të cilit gjendet. Kështu ne i dënojmë të padrejtit!” 

76. Dhe filloi (kontrollimi) në barrët e tyre, përpara barrës së vëllait të vet, e pastaj e nxorri atë (tasin) nga barra e vëllait të vet. Kështu Ne e mësuam të planifikojë Jusufi. Sipas ligjit të mbretit, atij (Jusufit) nuk i takonte ta ndalte (peng) vëllain e vet, përveç kur është dëshira e All-llahut. Atë që duam Ne e lartësojmë shumë në dituri, e mbi secilin të dijshëm ka edhe më të dijhëm. 

77. (vëllezërit) Thanë: “Në pastë vjedhur ky, ka pasë vjedhur më parë një vëlla i tij. Jusufi këtë e mbajti fshehtë në vete e nuk ua zbuloi atyre dhe tha: “Ju jeni në pozitë më të keqe (këtë e tha me vetvete e jo atyre), All-llahu e di më mirë për atë që trilloni. 

78. Ata thanë: “O zotëri, ai ka një babë shumë të vjetër, pra , në vend të tij na merr njërin prej nesh. Bënë këtë të mirë se ti je prej atyre që bëjnë mirë!